Që nga fillimi i dorëzimit të njoftimeve për lirimin e pronave në veri të Mitrovicës, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) ka verifikuar dhe ka konstatuar se janë liruar në mënyrë vullnetare 6 prona, të cilat më pas i janë kthyer pronarëve të ligjshëm.
Një rast, sipas kërkesës së parashtruar nga pronari i ligjshëm, ka përfunduar me mbylljen e kërkesës për lirim të pronës.
Së fundmi, dje, me datën 12.07.2024, AKKVP përmes u.d. Udhëheqësit të zyrës regjionale në Mitrovicë, ka bërë dorëzimin e çelësave tek pronari i ligjshëm, i cili kishte mbi 25 vite që nuk kishte shfrytëzuar pronën e tij.
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës siguron të gjithë qytetarët se, sipas mandatit të saj dhe në përputhje me ligjin, do të vazhdojë me lirimin e pronave të shfrytëzuara në mënyrë të paligjshme në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe t’i kthejë ato tek pronarët e tyre të ligjshëm.
Prandaj, AKKVP fton të gjithë shfrytëzuesit ilegal të pronave që janë subjekt i kërkesave për lirim të pronave, të bashkëpunojnë dhe të lirojnë pronat në mënyrë vullnetare, në mënyrë që të evitohen mjetet ligjore që mund të ndërmerren për lirimin e pronave.
Për më shumë informata, ju lutem kontaktoni Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, konkretisht Njësinë e Informimit.
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës