Sot, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) ka vazhduar me sukses procesin e lirimit të pronave në veri të Mitrovicës, duke arritur kështu në 36 prona të liruara që nga fillimi i procesit të kthimit të pronave te pronarët e ligjshëm në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.
Në kuadër të këtij procesi, drejtoresha ekzekutive e AKKVP-së, znj. Afërdita Beka Arifaj, ka dorëzuar çelësat e tri pronave të tjera, duke përforcuar angazhimin e AKKVP-së për mbrojtjen e të drejtave pronësore të qytetarëve të Kosovës.
Drejtoresha Beka Arifaj, gjatë këtij akti simbolik, theksoi angazhimin e vazhdueshëm të AKKVP-së në kthimin e pronave sipas mandatit të saj dhe siguroi qytetarët se AKKVP do të vazhdojë në realizimin e mandatit të saj.
“AKKVP do të vazhdojë të angazhohet fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe kthimin e pronave te pronarët e ligjshëm, në çdo pjesë të Kosovës. Ne jemi të përkushtuar për të siguruar që çdo qytetar të marrë atë që është e drejta e tij dhe të mos ketë asnjë pengesë në procesin e kthimit të pronave,” – tha znj. Beka Arifaj.
Ky proces është pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm nga AKKVP për të garantuar të drejtat pronësore të qytetarëve të Republikës së Kosovës.