PËR AGJENCINË KOSOVARE PER KRAHASIM DHE VERIFIKIM TË PRONËS


Baza ekzistuese ligjore që rregullon Agjencinë

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), është themeluar me miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 9 qershor 2016 të Ligjit 05/L-010[1] për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, i cili ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2016. AKKVP është Agjenci e pavarur e themeluar sipas Nenit 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës , e cila ka për mandat të pranojë, krahasojë dhe përmes Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona (KVVP) të zgjidh dallimet dhe mos pajtueshmëritë në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të para qershorit të vitit 1999, të cilat janë marrë nga Kosova nga autoritetet serbe dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare[2].


Mandati

Si rezultat i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë[3], është arritur marrëveshja për kthimin e të dhënave kadastrale të zhvendosura të cilat janë marrë nga autoritetet e Serbisë në vitin 1999. Element përbërës i kësaj Marrëveshjeje ishte themelimi i një agjencie e cila do bënte zbatimin e saj. Kështu, më 9 qershor 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP). Në ndërkohë Ligji, me inicimin e Grupit Parlamentar të “Listës Serbe”, ishte subjekt i një ankese në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjatë periudhës shqyrtuese në Gjykatë, procedura e dekretimit të këtij ligji nga ana e Presidentit dhe hyrja në fuqi ishte pezulluar. Gjykata Kushtetuese, me vendimin e saj të datës 25 tetor 2016, e deklaroi ankesën si të papranueshme, duke e hapur rrugën për dekretimin e ligjit nga Presidenti dhe hyrjes së tij në fuqi në nëntor të vitit 2016. Mandati i AKKVP është i një rëndësie shumë të madhe i cili, përveç tjerash, do të ndihmojë që regjistri kadastral aktual të jetë më i plotë dhe i saktë. Numri i përgjithshëm i dokumenteve kadastrale të skanuara dhe të indeksuara në Serbi e që pritet të kthehen është 4,037,264. Të gjitha këto dokumente kadastrale për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare të marra nga Serbia para qershorit të vitit 1999, do të pranohen, krahasohen me dokumentet kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës dhe përmes KVVP do të zgjidhen dallimet dhe mos pajtueshmëritë mes këtyre dy grupeve të dokumenteve.


Mandati shtesë i trashëguar nga AKP

Sipas ligjit 05/L-010, AKKVP do të trashëgojë edhe mandatin e Agjencisë Kosovare të Pronës (AKP). Rrjedhimisht, AKKVP do të ketë për mandat që përmes Komisionit për Kërkesa Pronësore (KKP) të zgjidh kërkesat e pronësisë dhe kërkesat lidhur me të drejtat mbi shfrytëzimin (me të drejtë ankese në Gjykatën Supreme të Kosovës) lidhur me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe komerciale (kërkesa këto të lidhura me luftën në Kosovë duke përfshirë rrethanat që drejtpërsëdrejti janë të ndërlidhura me të ose janë pasojë e saj në periudhën ndërmjet 27 shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999), e të cilat më herët janë dorëzuar në AKP[4]. Mandati i trashëguar nga AKP përfshin edhe autoritetin ekzekutiv të zbatimit të vendimeve të AKP-së dhe në këtë pikëpamje, përveç vendosjes, AKKVP do të ketë në mandatin e saj edhe autoritetin ekzekutiv të zbatimit të vendimeve të AKP dhe Drejtorisë për Çështje Pronësore dhe Banesore (DÇPB)[5] të themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut 1999/23 (mbyllja e së cilës ka përkuar me themelimin e AKP-së). Pra, AKKVP-së i është dhënë mandati për zbatimin e vendimeve finale të KKVP-së, KKP-së, Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore (KPB) si dhe të aktgjykimeve të Kolegjit të Apelit të Gjykatës Supreme. Zbatimi i kërkesave do të bëhet përmes mjeteve ligjore, duke përfshirë por jo kufizuar, në regjistrimin e vendimeve të KVVP-së në regjistrat kadastralë, në vënien e pronës nën administrim të AKP-së, dëbimin, konfiskimin dhe shkatërrimin e objekteve të paligjshme, ankandin dhe marrëveshjet mbi qiranë[6]. Gjithashtu, para shfrytëzimit të mjetit juridik të konfiskimit dhe shkatërrimit të strukturave të paligjshme, do të mund të shfrytëzohet ndërmjetësimi si mjet për zbatimin e vendimit[7]. AKP-ja ka trashëguar disa detyra të cilat fillimisht ishin në kuadër të mandatit të paraardhëses së vet, Drejtorisë për Çështje Pronësore dhe Banesore (DÇPB), e themeluar me Rregulloren e UNMIK-ut 1999/23. Përgjegjësitë e tilla përfshijnë zbatimin e vendimeve të mbetura të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore (KKPB) që ishin në pritje të zbatimit, dhe menaxhimin e pronave nën administrimin e DÇPB-së. Në ushtrimin e këtij aspekti të mandatit të vet, AKP-së i janë besuar të drejtat, obligimet, përgjegjësitë dhe kompetencat e DÇPB-së. Asetet fizike të DÇPB-së për më tepër, i janë bartur AKP-së dhe një numër i personelit të vet janë ri-caktuar për të kryer detyra të ngjashme brenda AKP-së.


Periudha tranzitore prej AKP në AKKVP

Me themelimin e AKKVP , AKP ka pushuar së ekzistuari. Sipas Ligjit për AKKVP, përveç mandatit të ri të dhënë, Agjencisë do t’i barten të gjitha kompetencat e AKP përfshirë buxhetin, obligimet kontraktuale si dhe asetet fizike. Pra, me hyrjen në fuqi të ligjit, Agjencia hyri në fazën e tranzicionit dhe në këtë aspekt vlen të theksohet se Agjencia prej kohësh kishte filluar aktivitete të ndryshme përgatitore, planifikimi dhe vlerësimi. Pra, hyrja në fuqi e ligjit Agjencinë e ka gjetur të përgatitur për fillim të zbatimit të mandatit të tij duke ndërmarr kështu shumë veprime si në drejtim të përgatitjeve për zbatim të mandatit të ri e gjithashtu edhe në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga ligji i lartpërmendur. Disa nga këto veprime kanë përfunduar dhe disa janë ende në proces. Për të gjitha çështjet të cilat varen nga Agjencia, vlerësojmë se aktivitetet për procesin e tranzicionit janë duke u përmbushur siç është planifikuar.