KOMUNIKATË PËR SHTYP NGA KOMISIONI PËR KËRKESA PRONSORE TË KOSOVËS
Prishtinë, 20 maj 2020
Komisioni për Kërkesa Pronësore të Kosovës (“KKPK”) është themeluar në bazë të Rregullores së UNMIK-ut 2006/50, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.03/L-079 . KKPK është përgjegjës për zgjidhjen e kërkesave pronësore dhe për të drejtën e shfrytëzimit të pronës së paluajtshme private, përfshirë pronën banesore dhe atë komerciale, që përfshin rrethanat që lidhen drejtpërsëdrejti me, apo që janë pasojë e konfliktit të armatosur që ka ndodhur në Kosovë në mes të 27 shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999, ku paraqitësi i kërkesës tani nuk mund të ushtrojë të drejtat e tilla pronësore.
Komisioni ka mbajtur seancën e tij të 46-të më 7 maj 2020. Në këtë seancë, Komisionit i janë paraqitur kërkesat për kthimin e të drejtave pronësore të humbura si pasojë e diskriminimit. Në këto raste, Komisioni për Kërkesa Pronësore dhe Banesore ka vendosur që paraqitësi i kërkesës i kategorisë “A” ka të drejtë në kthim të pronës pas pagesës së çmimit të privatizimit dhe paraqitësi i kërkesës i kategorisë “C” ka të drejtë në kompensim. Qeveria e Republikës së Kosovës pas ndryshimit të Udhëzimit Administrativ (QRK) nr. 10/2018 për Procedurat e Skemës së Kompensimit për Zbatimin e Vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore dhe sigurimit të mjeteve për kompensim, tani ka bërë të mundur zbatimin e vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore. Në këtë seancë, 52 kërkesa të tilla i janë paraqitur Komisionit ku Komisioni i Vlerësimit i Agjencisë ka përcaktuar çmimin e privatizimit dhe paraqitësi i kërkesës i kategorisë “A” i ka paguar këtë çmim Agjencisë. Pas vendimit të Komisionit për kthimin e të drejtave pronësore paraqitësve të kërkesave të kategorisë “A”, paraqitësit e kërkesave të kategorisë “C” tani mund të kërkojnë pagesën e kompensimit të tyre nga Agjencia.
Komisioni gjithashtu ka shqyrtuar 2246 raste në të cilat janë bërë gabime tekstuale gjatë përpunimit të kërkësave. Komisioni ka vendosur që në 391 raste vendimi individual duhet të korrigjohet.
Me atë që u cek më sipër, Komisioni ka kryer shqyrtimin e të gjitha rasteve që kishin mbetur për tu vendosur.
Për informata shtesë mbi veprimet e KKPK-së, ju lutemi të kontaktoni Albiona Malokun në albiona.maloku@rks-gov.net, ose thirrni në + 383 (0) 38 249 918.