Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) informon publikun se më datë 11 korrik 2024, në përgjigje të njoftimit për lirim të pronës të dërguar tek pala përgjegjëse nga AKKVP, është liruar edhe një pronë në mënyrë vullnetare nga shfrytëzuesi ilegal në rajonin e Mitrovicës së Veriut.
Pas verifikimit dhe konstatimit nga AKKVP për lirimin e pronës në fjalë, znj. Afërdita Beka Arifaj, drejtore ekzekutive, i ka dorëzuar pronarit të ligjshëm çelësat e pronës.
Ky veprim është vazhdim i përpjekjeve të AKKVP-së për të siguruar respektimin e të drejtave pronësore dhe për të përmbushur mandatin e saj ligjor.
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës apelon qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të lirojnë vullnetarisht pronat në shfrytëzim të paligjshëm, duke siguruar kështu kthimin e tyre tek pronarët e ligjshëm. Bashkëpunimi i qytetarëve është kyç për të siguruar një proces të drejtë dhe të rregullt të kthimit të pronave dhe për të shmangur masat e detyrueshme ligjore që mund të ndërmerren në rast të mosrespektimit të njoftimeve.
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave pronësore të qytetarëve dhe do të vazhdojë angazhimin e saj në përputhje me mandatin e saj dhe legjislacionin në fuqi të zbatuar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës